Shëndeti i Fëmijeve

Astma te fëmijët, më të rrezikuar fëmijët në qytet!

femije1

Flet mjekja pneumoalergologe, Luljeta Serbo shefe e shërbimit të Alergo-pneumologjisë në Pediatrinë e QSUT-së duke thëksuar se astma bronkiale po bëhet gjithnjë e më shqetësuese për popullatën
Asthma bronkiale është sëmundja më e shpeshtë kronike e rrugëve të frymëmarrjes te fëmijët. Sipas statistikave të ndryshme, me të janë të prekur rreth 6-10 % e popullatës nën 15 vjeç. Në një intervistë për prof. Dr. Luljeta Serbo, tregon se si shfaqet sëmundja, nga se shkaktohet dhe si mund të prandalohen krizat e asthmës bronkiale te fëmijët:
Doktoreshë, sa e përhapur është asthma te fëmijët?
Asthma bronkiale është një sëmundje inflamatore kronike e bronkeve.

Kjo është sëmundja më e shpeshtë kronike e rrugëve të frymëmarrjes te fëmijët. Sipas statistikave të ndryshme, me të janë të prekur rreth 6-10 % e popullatës nën 15 vjeç.
Kur shfaqen shenjat e para te kjo grupmoshë?
Simptomat e para të asthmës në 90 % të rasteve fillojnë para moshës 4-5 vjeç. Ajo mund të nisë që në vitin e parë të jetës, por pjesën më të madhe të tyre, rreth 60% të rasteve, fishkëllimat shfaqen midis moshës 2-5 vjeç. Vetëm në 30 % të rasteve, fishkëllimat fillojnë që gjatë vitit të parë të jetës.
Nga se shkaktohet asthma te fëmijët?
Asthma është një sëmundje,frukuenca dhe graviteti i së cilës janë në rritje dekadat e fundit. Kjo lidhet me një sërë faktorësh si: ndotja e mjedisit të jashtëm, por dhe brenda shtëpisë, modifikimi i mënyrës së jetesës, ushqyerjes, etj. Ndotja e ambientit është përgjegjëse direkte për inflamacionin e mukozës bronikale, por gjithashtu ndikon indirekt duke favorisuar shfaqjen e atopisë( alergjise). Ndikimi negativ i ndotjes së ambientit shpjegon faktin pse mbi 75 % e fëmijëve me astmë takohen në qytet. Studime të ndryshme kanë treguar lidhjen që ekziston mes nivelit të ozonit në atmosferë, përqindjes së bioksidit të squfurit, të uratit dhe numrit të fëmijëve të sëmurë me asthmë. Po ashtu ndikon ndryshimi i mënyrës së jetesës, ku përfshihet si ndryshimet në kushtet brenda shtëpisë: ngrohja me kondicionerë, që shpesh ndikon për keq, prania e tapeteve, perdeve të rënda, etj. Por dhe mënyra e ushqyerjes, duke synuar më tepër ushqimet e gatshme, pikante,m etj. Por një faktor të rëndësishëm luan dhe prania e kafshëve shtëpiake: mace, qen.
Kush preket më shpesh?
Me asthmë sëmuren më shpesh meshkujt sesa femrat, në raportin 3:2, por ata e kalojnë sëmundjen më shpejt se sa femrat dhe në moshën 15-17 vjeçare, incidenca në të dy sekset është e njëjtë.
A është e trashëgueshme?
Faktorët genetikë janë pothuajse të pranishëm. Një fëmijë që ka të afërm, jo vetëm prindër astmatik, është i predispozuar të ketë probleme me astmën. Megjithatë jo gjithmonë faktori genetik është evident. Pasi mund të ndodh që pavarësisht se nuk kanë familjarë, apo të afërm me astmë, disa fëmijë mund të alergjizohen gjatë jetës intrauterine ose pas lindjes dhe të shfaqin probleme asthmatike.
Si shfaqet sëmundja e asthmës në fëmijët?
Forma klasike e sëmundjes së asthmës është kriza e asthmës, që shfaqet zakonisht natën, me një bllokim dhe vështirësi të frymëmarrjes, me fishkëllima që dëgjohen në distancë, me kollë, e cila në fillim është ngacmuese, e thatë e më pas bëhet me sekrecione. Përveç krizës klasike të asthmës sëmundja mund të shfaqet edhe me forma më të lehta dhe që fatkeqësisht shpesh nuk vlerësohen, si kollë e herë pas herëshme, një ngacmim fyti, fërshëllima, sekrecione bronkiale, bllokime të frymëmarrjes gjatë vrapimeve. Shpesh në fëmijët më të vegjël sëmundja shfaqet me bronkopneumoni të shpeshta.
Si mjekohet asthma te fëmijët?
Trajtimi i fëmijs me asthmë përmbledh trajtimin e krizës së asthmës dhe trajtimin profilaktik ose mbajtës të sëmundjes. Duhet patur parasysh se asthma nuk është vetëm kriza,e cila në vetvete është dramatike dhe natyrisht shërben si sinjal alarmi dhe shkohet te mjeku për të marrë trajtimin e duhur. Por asthma bronkiale është një sëmundje inflamatore kronike, dhe si e tillë ka nevojë për trajtim medikamentoz të gjatë, dhe jo vetëm gjatë krizës. Kriza e asthmes mund të themi që përfaqëson vetëm majën e ajsbergut të sëmundjes. Jashtë krizave të asthmës, fëmijët në dukje janë të shëndoshë, por në ta zhvillohet një inflamacion kronik i rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, i cili, nëse neglizhohet dhe nuk trajtohet me mjekim profilaktik, bëhet shkak i dëmtimeve të pemës bronkiale, dëmtime që me kalimin e viteve bëhen të parikthyeshme.astma222
Ju thatë që shpesh nënvlerësohet, në ç’drejtim neglizhohet?
Po. Është e vërtetë që shpesh herë asthma nënvlerësohet, së pari nga familjarët të cilët në gati 30 % të rasteve nuk marrin recetat e rekomanduara nga mjeku. Kjo shpesh bëhet për arsye psikologjike, pasi mjekimet profilaktike te asthmës merren me rrugë inhalatore, zakonisht me pompa, gjë që është e padëshirueshme për shumë prindër, aq më tepër kur fëmija në dukje nuk është i sëmurë. Arsyeja tjetër është fakti që dhe vetë mjekët e nëvlerësojnë asthmën dhe sidomos format joalergjike të saj, format atipike te saj, apo ekuivalencat asthmatike. Nënvlerësimi i mjekimit profilaktik gradualisht ndikon në shfaqjen e dëmtimeve të parikthyeshme të pemës bronkiale, të cilat janë përgjegjëse për zhvillimin në të ardhmen të insufiçencës respiratore. Ne vendin tonë problem është dhe fakti që në shërbimin parësor mungojnë mjekët pediatër specialiste, pneumo-alergologe dhe fëmijët në pjesën më të madhe të rasteve ndiqen nga mjeku pediatër i përgjithshëm ose alergologu i të rriturve.
A mund të shërohet plotësisht?
Në gati 50 % të rasteve asthma te fëmijët mund të kalojë, zakonisht pas moshës së pubertetit. Në këto raste ndikim pozitiv ka trajtimi i rregullt profilaktik i fëmijëve, faktorët e kujdesit.
6-10 % e popullatës nën 15 vjeç janw tw prekur nga astma
75 % e fëmijëve me astmë takohen në qytet
50 % të rasteve asthma te fëmijët mund të kalojë
90 % të rasteve shenjat e astmës fillojnë para moshës 4-5 vjeç
Këshilla
Si mund të parandalohen krizat e asthmës
Krahas mjekimit medikamentoz profilaktik, një rol të rëndësishëm luan edukimi i prindërve dhe fëmijëve, të cilët duhet të njohin dhe të evitojnë (shmangin) faktorët alergjizantë, në rastin e asthmës alegjike, dhe faktorët jospecifikë të shpërthimit të krizave si (duhani, griprat, pluhurat, etj).
Duhet që fëmija të mos jetojë në ambjente të mbyllura, të shëtisë shumë dhe të qëndrojë në ambjente të ajrosuara mirë.Duhet të njihen shenjat paraprake të fillimit të krizës së asthmës dhe të fillohet mjekimi i krizës sa më parë, në mënyrë që të evitohen krizat e rënda. Mbi të gjitha duhet të mësohen të dallojnë mjekimin profilaktik nga mjekimi i krizës, sepse janë të ndryshme. Po ashtu duhet të bëhen kontrolle të vazhdueshme te mjeku specialist dhe të zbatohen këshillat e tij./F.C

Dhjamosja te fëmijët, shkaqet dhe parandalimi i saj!

femije2

Cilat janë ushqimet që duhen evituar dhe pasojat që mund të sjellin në të ardhmen kaloritë e tepërta
Nëse fëmija juaj ka shtuar disa kilogramë mbi peshën normale, duhen marrë masa të shpejta para se të dhjamoset. Shihni ushqimin që merr (brënda e jashtë shtëpisë) dhe aktivitetin fizik. Sipas mjekut të mirënjohur Polikron Çelo, duhet të shqetësoheni për pasojat e afërta dhe të largëta pasi rreth 40% e fëmijëve dhe 60 e adoleshentëve, mbeten obezë dhe kur të rriten. Përveç korrigjimit të gabimeve, mos kërkoni receta ushqimi, as rregulla të ngurta, se nuk ekzistojnë. Dijeni se ju pret një punë pak e vështirë, po jo e pamundur.
Doktor, kur konsiderohet një fëmijë mbi peshë?
Mbi peshë – quhen që kanë deri 20% mbi peshën ideale. Të dhjamosur (obezë) – mbi 20% të peshë ideale. Kujdes – Fëmijët nën 4 muaj që ushqehen vetëm me gji, jo rrallë vërehet një shtim mbi peshën normë; kemi të bëjmë me një dukuri normale, mos gaboni të bëni kufizime në ushqime.

Cilat mund të jenë shkaqet e shtimit në peshë?
Nuk është nevoja të hamendësohet pasi shkaqet kryesore të mbipeshës janë ushqyerja e gabuar dhe jeta pa lëvizje. Në raste të rralla (vetëm 2-3 %) dhjamosja mund të bëjë pjesë në kompleksit e shënjave të disa sëmundjeve të gjëndërrave endokrine. Nëse fëmija është mbi peshë, shihni dhe peshën tuaj, ndoshta këtë rrugë kanë marrë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Duhet parë jo vetëm ushqimi i zakonshëm me shumë kalori, po dhe ato që merren jashtë vakteve e nuk konsiderohen burim kalorish. Le të kujtojmë për shembull shishet me qumësht të sheqerosur në vënd të ujit, lëngjet e sheqerosura, çokollatat, ëmbëlsirat etj. Shpesh fëmijët e moshës shkollore dalin pa ngrënë mëngjes jo se nuk kanë uri, po se i presin gjetkë byrekët, picat, hamburgerët etj, që i blejnë me lekët që u japin prindërit, pa ditur se gabojnë. Sot fëmijët levizin më pak dhe kohen e lirë në vend të merren me lodra ose aktivitete te tjera fizike, për shumë arsye e kalojnë me tepër pranë kompjuterit dhe televizorit.
Cilat janë rreziqet e dhjamosjes?
Nëse dhjamosja, fillon në moshat e vogëla, fëmija mund të ketë një sërë problemesh si :
• vështirësi në frymëmarrje ose “mbytje”, sidomos gjatë natës
• deformime të anësive, marrin formë “X”
• dhimbje kyçesh
• dystaban
• vështirësi për të lëvizur
• mund të mbetet i dhjamosur dhe në vitet që pasojnë
• tendencë për Diabet
• rritje të tensionit gjakut
• sëmundje të zëmrës dhe të enëve të gjakut
• probleme psikologjike. Duke u bërë objekt ngacmimesh prej moshatarëve, largohen prej tyre, preferojnë më mirë të qëndrojnë në shtëpi. Të shkëputur nga lodrat, kënaqësinë e gjëjnë në të ngrënët, çka thellon shtimin e peshës.Si mund të parandalohet dhjamosja?
Kujdesi duhet të fillojë qysh në muajt e parë të jetës. Një fëmijët pa gji të respektojë me përpikmëri përgatitjen e qumështit. Kur fillohen ushqime të tjera (rreth moshës 5-6 muaj), qumështi duhet pakësuar. Asnjëherë nuk i duhen dhënë lëngje të sheqerosura, as sheqer në ushqimet e përditshme.
Po për moshat në vazhdim?
Të pakësohen produktet me shumë kalori, në radhë të parë ato me bazë miellrash, duke shtuar më tepër perimet. Të kufizohen gjithashtu ëmbëlsirat, çokollatat, karamelet dhe të gjitha lëngjet e sheqerosura. Në fund të ushqimit, në vënd të ëmbëlsirave, fruta ose lëngun e tyre pa sheqer. Zëvëndësoni akulloret e zakonshme, me akullore frutash. Yndyrnat (vaji, gjalpi, llarda, margarina etj) kanë shumë kalori prandaj duhen kufizuar. Lerini fëmijët të hanë sipas dëshirës (nevoja për ushqim, organizmi i rregullohet vetë). Kthejini aktivitetet fizike, në një mjet argëtues për të gjithë pjesëtarët e familjes. Nxisni ecjet në këmbë,shëtitjet, lojërat në mjedise të hapura. Nëse kini ashensor, është mirë të përdorni shkallët, të paktën pjesërisht. Biçikleta, këshillohet për të gjithë fëmijët (më mirë në grup) Kush ka një qen, të detyrohet ta nxjerrë për shëtitje, një shkak që fëmija të lëvizë, por dhe të largohet nga televizori e kompjuteri.
Si duhet të veprojë një nënë kur shikon që fëmija i saj po dhjamoset?
• Largoni nga guzhina produktet me shumë kalori (patatina, lëngje të sheqerosura, cokollata sallame, etj) dhe zëvëndësojini me me produkte me më pak kalori si fruta e lengjet e tyre të freskëta, keke me fruta të pargatitura vetë, akullore me fruta etj.
• Asgjë gjatë shikimit të televizorit (si pjata me patatina, kikirikë etj).
• Shikoni me sy kritik mënyrën e ushyerjes së krejt familjes.
• Nëse merr vakte në ndonjë institucion, interesohuni për ato që i serviren.
• Kthejeni në zakon, marrjen e tre vakteve të plota (mëngjes, drekë, darkë) dhe diçka të lehtë midis mëngjesit e drekës dhe drekës e darkës (ndikon në mënjanimin e ngrënieve jashtë vakteve)
• Mësojeni të mos hajë shpejt për arsye se pengon ndjenjën normale të ngopjes (që të ndihet i ngopur, do të marrë më tepër ushqim).
Disa këshilla për familjen
– Kushtojini më shumë vëmëndje mënyres së gatimit, variacioneve dhe serviries me gusto
– mos vendosni në tavolinë produkte që mund të hahen të papërpunuara (as bukë), para se të uleni të gjithë për të ngrënë
– të pihet një gotë ujë, para fillimit të ngrënies
– ushqimin servirjani secilit në pjatë me sasinë e nevojshme (jo në enë të përbashkëta)
– filloni ushqimin, me një sallatë, mundësisht jeshile
– mbas ngrënies, çohuni të gjithë menjëherë nga tavolina
– nëse janë në shkolla me ushqim, nxisni të hanë gjellët me perime dhe mos u jepni të holla për të blerë produkte të tjera (byrekë, pica, hamburger etj)
Vëmendja ndaj ushqimit në vendet perëndimore
Vitet e fundit, për këtë problem në rritje, po merret seriozisht dhe shteti. Bashkia e San Franciskos mori një vendim të rëndësishëm përsa i përket ushqimeve. Në vitin 2010 ktheu në ligj ndalimin e produkteve me bazë miellrash të firmës së famshme Mak-Donald dhe tregëtimin e produkteve të kësaj natyre në mjediset me grumbullime fëmijësh. Në Itali kërkohet të rriten taksat për lëngjet e sheqerosura, ashtu si në Francë. Disa muaj më parë ministria e shëndetësisë italiane kërkoi masa lehtësuese për industrin ushqimore (me qëllim nxitjen e prodhimimeve me pak kalori) dhe taksa shtesë për ata që veprojnë ndryshe; kërkohet gjithashtu kontrolle e masa për ushqimin e fëmijëve në shkolla, konvikte etj. Në shumë vënde prej kohësh tregëtohen me lehtësira tatimore asortimente të shumta me bazë perimesh, të amballazhuara bukur, të shijshme, duke kënaqur fëmijë e të rritur./F.C

Deformimet e shtyllës kurrizore tek fëmijët, shqetësuese!

1392883395-1

Fëmijëve po u deformohet shtylla kurrizore si rrjedhojë e rëndesës së çantave dhe lojrave në celular. Shqetësimi vjen nga specialistët e shëndetësit publik, të cilët japin dhe udhëzime për mjekët e shkollave për parandalimin e këtyre deformimeve. “Kirurgët pohojnë se numri i fëmijëve midis moshës 8 – 18 vjeç, të cilët ankohen për dhimbje të mesit, pasojë e deformimeve të shtyllës kurrizore, po rritet”, thotë Enida Xhumari, Specialiste e Higjenës dhe Promocionit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo përmend në këtë drejtim zhvillimin e problemeve spinale, siç është dëmtimi i disqeve të shtyllës kurrizore, si rrjedhojë e qëndrimit (postures) jo të drejtë. “Është i rëndësishëm depistimi i fëmijëve për qëndrimet e shëndetshme në parandalimin e deformimit të shtyllës kurrizore. Ekspertët konfirmojnë se adoleshentë po shfaqin gjithmonë e më shumë deformime të shtyllës kurrizore, rrjedhojë e modernizimit të shoqërisë civile”, thekson Xhumari.
Ky fenomen modern, i cili shkakton deformim të shtyllës kurrizore dhe në disa raste hernie diskale, skoliozë, vjen si rezultat i mbajtjes së çantave të rënda, apo luajtjes për orë të tëra me celular apo lojra elektronike. Ekspertët thonë që nuk ka asnjë diferencë midis një personi që punon me orë të tëra në fabrikë, ashtu edhe një fëmijë që kalon mbi 8 orë duke loajtur me lojra elektronike, ndaj dhe vëmendje e veçantë i duhet kushtuar qëndrimit korrekt gjatë gjithë aktiviteteve ditore.
Dhimbja e kurrizit jospecifike shtohet me rritjen e moshës dhe është më e shpeshtë, tek vajzat se sa tek djemtë. Gjithsesi, dhimbja e mesit është shumë më e shpeshtë tek të rriturit se sa tek fëmijët. Më pak se 30% e fëmijëve e adoleshentëve ankohen për dhimbje mesi dhe fare pak shkojnë te mjeku për këtë dhimbje. Ndërkohë, ky problem është më shumë evident tek fëmijët në moshën, 8 – 18 vjeçare.
Këshilla për mjekët e shkollave dhe prindërit
Një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet t’i drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si futboll, karate, hedhje. Këto do të shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme, shton Xhumari.
Ndërkohë që mjekët duhet të kenë parasysh gjatë depistimit një vlerësim i mirë klinik për shumicën e shkaqeve të dhimbjes, ndërkohë që është e rëndësishme të merret një histori e kujdesshme për dhimbjen.
Xhumari thotë se prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm me fëmijët e tyre, duke u tërhequr vëmendje të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës. Ndërkohë, një këshillë e vlefsheme, duke pasur parasysh dhe mungesën e aktiviteteve fizike, prindërit këshillohen të regjistrojnë fëmijët minimalisht dy herë në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si sporte të ndryshme sipas grupmoshës, not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis. “Mos lejoni që fëmija juaj, të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon TV apo loz me lojra elektronike, ndërkohë që nuk duhet të rrinë me orë të tëra para TV pa lëvizur”, këshillojnë specialistët, sipas të cilëve, fëmijët është e këshillueshme të shkojnë vetë në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor të aktivitetit fizik.
Mbajtja e çantës ka një rëndësi të veçantë gjithashtu. Specialistët vënë theksin tek përdorimi i çantave me rrota, ose përdorimi të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin./F.C

Share on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someoneShare on LinkedInShare on Google+Pin on Pinterest
© Portali Psiko Social · Subscribe: RSS Twitter · QSPS Qendra per Studime Psiko Sociale dizenjuar nga VIZION.AL