Sipas shumë hulumtuesve aspekti më i rëndësishëm i sjelljes joverbale është shprehja e fytyrës. Olport konsideron se kjo është qendra e përjetimit të vetes, kurse Birdvistel i ka veçuar 250 000 shprehje të ndryshme të njeriut. Struktura specifike e shprehjes faciale jep vulën individuale të çdo njeriu. Këtë e ka vërejtur edhe piktori i madh italian, ndërtuesi dhe konstruktori Leondardo Da Vinçi dhe me vizatime të thjeshta ka ilustruar se si muskujt e fytyrës, sidomos rreth gojës dhe syve zbulojnë emocionet. Muskujt e lëshuar i shprehin emocionet e pakëndshme, kurse muskujt e ngritur emocionet e këndshme. Rukmik (Ruckmick) më 1931, hulumtoi në mënyrë eksperimentale mundësinë e njohjes së emocioneve në bazë të ekspresioneve faciale. Rrezultatet e atij eksperimenti kanë treguar se në bazë të ekspresioneve faciale është e mundur të dallohen emocionet e këndshme nga ato të pakëndshmet, por ekspresionet janë të pasigurta kur duhet të dallohen madje emocionet themelore, elementare siç janë: gëzimi, pikëllimi, zemërimi dhe frika. Nga kjo mund të konkludohet se ekspresionet faciale nuk kanë as përafërsisht aq domethënie për njohjen e emocioneve që zakonisht u atribuohen.